Pyetja: Nëse i kemi të ndera rrobat për tharje dhe i zë perëndimi i diellit, a lejohet që t’i marrim apo duhet t’i lëmë deri në mengjes? Pasi kam dëgjuar që nëse i zë perëndimi i diellit nuk lejohet që t’i marrësh apo t’i fusësh në shtëpi.
Përgjigja: Një nga pyetjet e shumta, faktikisht këto pyetjet e besëtytnive, ose këto pyetjet e besimeve supersticioze tek ne janë shumë të ngulitura, domethënë pothuajse çdo dy ditë ose çdo ditë dëgjojmë diçka të re që është besëtytni ose është besim supersticioz, por që njerëzit e besojnë, e transmetojnë, e transferojnë nga brezi në brez.
Ndër këto pyetje thotë: “Nëse i kemi të ndera rrobat për tharje dhe i zë perëndimi i diellit, a lejohet që t’i marrim apo duhet t’i lëmë deri në mengjes? Pasi kam dëgjuar që nëse i zë perëndimi i diellit nuk lejohet pastaj që t’i marrësh dhe t’i fusësh në shtëpi.” Normalisht që kjo është pjesë e atyre besëtytnive, si të gjitha besëtytnitë e tjera që islami i ka refuzuar, madje njeriu nuk mund të jetë musliman i vërtetë derisa t’i refuzojë të gjitha besëtytnitë.
Çfarë quhet besëtytni? Besimi në diçka, ose të besuarit se kryerja e një veprimi apo e një procedure të caktuar sjell fat apo mbarësi, apo sjell tersllik apo ia sjell jetën mbrapsh etj., gjëra për të cilat nuk ka argument nga fjala e Zotit ose nga fjala e të dërguarit të Tij Muhamedit (salallahu alejhi ue selam), atëherë kjo gjë ose ky akt quhet besëtytni ose besim supersticioz dhe islami normalisht që këto gjëra i refuzon. Njeriu nuk mund të jetë musliman i vërtetë dhe i pastër derisa të jetë i pastër ndaj këtyre gjërave. Kështu që nuk ka asnjë lloj gjëje fetarisht, mund t’i marrësh rrrobat t’i fusësh brenda edhe pas perëndimit të diellit.
Dr. Imam Ahmed Kalaja