Pyetja: Si shtohet jeta dhe pasuria?
Përgjigje: I madhi Zot (xhele xhelaluhu) shumë herë në Kuran i urdhëron besimtarët duke u thënë: “Jepi hakun, çoje në vend të drejtën e gjakut dhe farefisnisë.” “Kush dëshiron që Zoti t’i shtojë jetën, kush dëshiron që Zoti t’i shtojë pasurinë dhe suksesin në jetë le t’i ruajë lidhjet farefisnore, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.” Në hadithin që unë e përmenda pak më herët thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam): “Kush do që t’i shtohet jeta”. Çfarë ka për qëllim kush don t’i shtohet jeta? Shumë prej dijetarëve të islamit thonë se i ndërrohet data e vdekjes. Që do të thotë: nëse në barkun e nënës i është shkruar se ky njeri do të vdesi në x moshë, mirëpo ky njeri gjatë jetës së tij është korrekt me farefisin dhe gjakun e tij, i fshihet data e vdekjes që është shkruar në barkun e nënës dhe i ndryshohet në një datë tjetër. Dhe një pjesë tjetër e dijetarëve të islamit thonë se kuptimi është: “Aq sa të jetojë ky njeri Zoti ia bën jetën të begatë, të mbarë, të mirë dhe të sukseshme.” Dhe një grup tjetër dijetarësh (ulemash) thonë se të dyja kuptimet janë të sakta edhe e para edhe e dyta, dhe kjo është më e sakta inshaAllahu teala me shpresë tek Zoti (xhele xhelaluhu).
Dr. Imam Ahmed Kalaja