Prej shkaqeve që e ruajnë njeriun nga dënimi i varrit është: e vërteta në të folur. Po pse? Gënjeshtarit Zoti nuk ia mundëson vdekjen e mirë dhe jetën e mirë në varr. Po pse? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Thënia e të vërtetës e çon njeriun tek e mira dhe e mira e çon njeriun në Xhenet, thënia e të pavërtetës (gënjeshtrës) e çon njeriun tek e keqja dhe e keqja e çon njeriun në Xhehenem. Njeriu vazhdon të thotë të vërtetën gjithmonë, derisa të fitojë tek Allahu emrin thënësi i të vërtetës, e njeriu gënjen vazhdimisht derisa të fitojë tek Allahu emrin gënjeshtar.” E të fitojë njeriu titullin gënjeshtar tek Zoti nuk ka gjë më të keqe dhe më të rëndë. Allahu (xhele xhelaluhu) gënjeshtarët në Kuran i ka mallkuar, jo për çdo lloj gënjeshtre, por nëse njeriu e bën traditë të tij gënjeshtrën dhe fiton titullin gënjeshtar, Zoti na ruajtë! Do thuash ti po politikanët për shembull që vetëm dinë të gënjejnë? WAllahi keq do ta kenë punën. Ne nuk themi për askënd me emër dhe me mbiemër se është në Xhehenem, po wAllahi bilahi të gënjesh pangopësisht dhe pafundësisht hata e madhe është, Allahu na ruajtë!
Dr. Imam Ahmed Kalaja