I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) në një rast tregon se vetë Zoti i Gjithësisë kur e sprovon njeriun me fëmijën… E ku ka sprovë më të madhe sesa të sprovohet njeriu me fëmijën e tij?! Allahu (xhelexhelaluhu) me Madhërinë e Tij i dërgon disa melaike posaçërisht tek njeriu në momentin që i vjen lajmi për herë të parë dhe melaiket e marrin fjalën e njeriut dhe e dërgojnë tek Zoti i Gjithësise, Ai e din, por që të mbetet histori dhe të tregohet. Allahu (xhelexhelaluhu) iu drejtohet melaikeve duke i thënë: “Çfarë tha robi im sa e mori vesh lajmin se i mora një pjesë nga shpirti i tij?”. Melaiket thonë: “O Allah, tha elhamdulilah.” Falenderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, se përderisa ka ndodhur domethënë se Ai e din më së miri. Allahu (xhelexhelaluhu) iu thotë melaikeve: “O melaiket e Mia, shkoni në këto momente në Xhenetet e Mia dhe ndërtojini robit Tim një kështjellë (një vilë, një pallat) në Xhenet dhe vijani emrin ‘Shtëpia e falenderimit të Allahut’.” Ai fëmijë, pavarsisht se ka ndërruar jetë, ai fëmijë është në Xhenetet e Zotit (xhelexhelaluhu); shumë prej prindërve nuk e kuptojnë këtë gjë, shumë prej prindërve mendojnë se po të ishtë gjallë do të kujdeseshin më mirë se vetë Zoti i Gjithësisë, e këta prindër në atë moment harrojnë se ky fëmijë ka hyrë automatikisht në kujdestarinë e Ibrahimit (alejhi salatu ue selam). Tha Pejgamberi (alejhi salatu ue selam): “Natën e Israsë dhe Miraxhit pashë një kodër dhe një pemë të madhe, një burrë plak i moshuar, me mjekër të bardhë dhe rreth e rrotull tij fëmijë që loznin e kërcenin dhe vinin përqark, e pyeta Xhibrilin (alejhi selam) dhe i thashë: ‘Kush ishte ai plaku me nur, me dritë dhe ata fëmijët kush ishin?’ përgjigjet Xhibrili (alejhi salatu ue selam) dhe i thotë: ‘Ai plaku me nur dhe me dritë ishte Ibrahimi (alejhi salatu ue selam), ndërsa ata fëmijët; janë fëmijët që vdesin në moshë të vogël kalojnë direkt në Xhenetet e Zotit (xhelexhelahu)’.” “Ndoshta ju nuk e pëlqeni diçka, mirëpo aty është hajri, nuk e dini ju se ku është hajri për ju, Allahu e din se ku është hajri për ju.”
Dr. Imam Ahmed Kalaja