Pyetje: Sa rekate falet namazi i teravive?
Përgjigje: Teravitë është një namaz special që falet në muajin e Ramazanit, i cili ka vlerë të madhe te Zoti i Gjithësisë. Ai njeri i cili e kalon Ramazanin, netët e Ramazanit, duke u falur dhe duke u lutur me besimin në Zot dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij, Zoti do ia fali gjynahet që ka bërë më herët. Si mund t’i kalojë njeriu të gjitha netët e Ramazanit duke u falur dhe duke u lutur? I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi we selem, ka thënë: “Kush falet me imamin derisa të mbarojë Zoti ia jep shpërblimin sikur është falur gjithë natën.” Pra, në momentin që ti falesh me imamin, që fal teravitë dhe vitrin dhe jep selam dhe ti jep selam me imamin, ty Zoti ta shkruan sikur je falur gjithë natën, pra ke arritur hadithin i cili thotë: “Ai njeri që i kalon netët e Ramazanit me lutje dhe me dua, me përkushtim ndaj Zotit, me besimin në Zot dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij, Zoti do t’ia fali gjynahet.” Kjo realizohet nëse ti falesh me imam.
Pse janë quajtur teravitë teravi?
Vjen nga fjala “rawah” që është qetësi, sepse i kanë pas falur teravitë me qetësi. Pra, faleshin qetësoheshin dhe kjo u merrte shumë kohë, saqë u shkonte sa gjysma e natës apo sa dy të tretat e natës dhe ka pasur raste që aq shumë përkushtoheshin në teravi saqë linin vetëm një orë para syfyrit, iknin me vrap për të ngrënë syfyr dhe pastaj ktheheshin në sabah në xhami, siç ndodhte në netët e fundit të Ramazanit.
Sa është numri i rekateve të teravisë?
Fillon me 8, pastaj është me 20, pastaj me 36, kthehet tek ajo që është traditë dhe ajo që është më e lehta për njerëzit. Pra, mund të jenë 8 plus 3, mund të jenë 20 plus 3, mund të jenë 36 plus 3, të gjitha këto janë të transmetuara.
Si të veprojmë ne?
Ne veprojmë siç vepron imami te xhamia ku falemi ne. Nëse shkojmë në një xhami dhe imami falet 8 plus 3 falemi 8 plus 3 dhe nuk shkaktojmë përçarje dhe rrëmujë. Nëse shkojmë në një xhami ku imami falet 20 plus 3 dhe duam të marrim shpërblimin kush falet me imamin derisa të mbarojë, falemi 20 plus 3 dhe nuk shkaktojmë përçarje dhe rrëmujë. Nëse qëllojmë në një xhami siç është rasti i medh’hebit malikij që falin 36 plus 3, falemi 36 plus 3 dhe nuk shkaktojmë përçarje dhe rrëmujë.
Dr. Imam Ahmed Kalaja