Pyetje: Përse njerëzit para se të ndërrojnë jetë, flasin dhe pyesin rreth orës apo udhëtimeve? Kam dëgjuar disa që thonë se flasin me të afërmit e tyre që kanë ndërruar jetë dhe thonë se po vijnë të më marrin shpirtin. A është e vërtetë kjo? A ka shpjegim nga feja? Nëse ka diçka të shkruar diku për këtë gjë dhe nëse ka një informacion të lutem më udhëzo.
Përgjigje: Nuk ka asnjë lloj informacioni dhe se këto zakonisht janë raste të rralla që mund të ndodhin. Ne e kemi shpjeguar kur kemi pasur mësimin për vdekjen që kemi thënë se ka raste dhe situata të tilla që njeriu thotë, ose e ndjen, ose mund të japi ndonjë datë, ose ndonjë ditë, por kjo është e veçantë, e rrallë dhe e kanë quajtur dijetarët si situatë e veçantë ose e përjashtuar, por kjo nuk është e rregullt, kjo nuk është diçka që ndodh gjithmonë.
Ose mund të jetë puna e xhindëve që lozin me njeriun në ato momente dhe i shfaqen në mënyrë që ta devijojnë. Për këtë arsye në një hadith thuhet: “O Zot, më ruaj që të më preki ose të lozi shejtani me mua në momentet e vdekjes.”, që do të thotë se shejtani nuk i ndahet njeriut në asnjë lloj momenti derisa të japi shpirt. Kështu që, kur të duket sikur i vdekuri po flet me shpirtrat e të vdekurve etj. të gjitha këto janë lojëra të shejtanit dhe se nuk vijnë shpirtrat aty që t’i tregojnë atij se në cilën ditë do të vdesësh etj., këto janë përralla.
Dr. Imam Ahmed Kalaja