Pyetje: Kemi dëgjuar në ligjëratat që ju mbani se njeriu në jetën e varrit përjeton një jetë tjetër ku shpirti ndodhet ose në Xhenet ose në Xhehenem, si ka mundësi që shpirti të jetë në Xhenet ose në Xhehenem ndërkohë që akoma nuk është bërë Kijameti?
Përgjigje: Shpirti i mirë dhe i besimtarit të mirë ruhet në Xhenet, pra shpirti nuk është aty në varr, por është në Xhenet. Shpirti i njeriut të keq, i kriminelit, ose i gjynahqarit ruhet në Xhehenem, nëse është qafir ai vuan, domethënë shpirti vuan jo trupi, dhe kur vjen Dita e Kijametit bashkohet me trupin dhe përfundon në Xhehenem. Nëse është besimtar, porse është gjynahqar dhe mëkatar, nëse shpirti i tij është në zjarr, kjo kohë që shpirti i tij po vuan i shërben si pastrim nga mëkatet dhe gjynahet kur të dali Ditën e Kijametit dhe në Ditën e Kijametit kohën që ka vuajtur në varr i konsiderohet shlyerje mëkatesh Ditën kur do të dalë para Zotit. Ndërsa besimtari, shpirti i të cilit është në Xhenet, Ditën e Kijametit do të futet në Xhenet bashkë me trupin. Pra, dallimi është: ne themi shpirti i njeriut është në Xhenet ose në Xhehenem në jetën e varrit me kuptimin vetëm shpirti, është jetë shpirtërore, ndërsa me trup do të futet në Xhenet ose në Xhehenem pas Ditës së Kijametit. Është mirë që për këtë temë të lexojmë, pra jo thjesht të mundohemi t’i kuptojmë gjërat, por edhe duhet lexuar për këtë temë dhe këtë fjalë që po e themi nuk është fjalë që po e themi vetëm ne, por e gjen në të gjitha librat të cilët flasin mbi doktrinën, mbi akaidin islam.
Dr. Imam Ahmed Kalaja