Si shpjegohet në islam besëtytnia, mbajtja e hudhrave etj ?

Pyetje: Si shpjegohet në islam besëtytnia, pra në qoftë se të moshurit thonë që për mbrojtjen nga mësyshi duhet të mbash hudhër apo diçka tjetër?

Përgjigje: Nëse do të ishte hudhra, patkoi, kukulla, flamuri ose diçka tjetër sebep që e mbron njeriun nga mësyshi, vetëm logjikisht sa mund ta pranojë një njeri me logjikë një gjë të tillë?! Vjen një moment që hudhra do të hahet. Thuhet se i thanë Nastradinit që të marrë një patkua se do ta mbronte, do t’i ecte mbarë, nuk do t’i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Tha Nastradini që kali im ka katër patkonj dhe ha dajak çdo ditë. Pra, katër patkonj kali dhe s’po e ruajnë, si mund të më ruajë mua patkoi? Po kështu dhe kukulla. Janë gjëra qesharake, janë gjëra shumë meskine. Varet një kukull, apo një arush, janë gjëra që s’kanë lidhje. Feja islame i lufton këto lloj besëtytnish, sepse supersticioni është i ndaluar në islam dhe nuk ka logjikë kjo gjë në islam. Nuk mund të bashkojë njeriu mes besimit në Zot dhe se çdo gjë është në dorë të Zotit, çdo gjë vjen prej Zotit çdo gjë është e caktuar prej Zotit e mira dhe e keqja; nuk mund të bashkohet ky lloj besimi që të jetë dikush tjetër përveç Zotit që të ketë aftësi për të bërë mbrojtje, apo që të ketë aftësi për të bërë deviacionin e mësyshit etj. Të gjitha këto konsiderohen besëtytni, janë të ndaluara në islam. Ndonjëherë mund të çojnë deri në përjashtimin e njeriuz nga feja, nëse ai beson se këto gjëra vetë kanë fuqi të mbinatyrshme për ta mbrojtur njeriun. Nuk e nxjerr njeriun nga feja nëse njeriu thotë që Zoti i ka bërë këto shkak, në këtë rast kemi të bëjmë me atë që quhet shirk i vogël, pra idhujtari e vogël jo e madhe me kuptimin që nuk e nxjerr njeriun prej feje, por që konsiderohet prej mëkateve të mëdha.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon