Pyetje: Hoxhë i nderuar jam bërë me vesvese dhe për çdo gjë harroj shumë shpesh, marr abdes, por më kujtohet pas pak minutash më duket sikur nuk kam marrë, çfarë më sugjeroni që të dal nga kjo situatë, sepse po vuaj?
Përgjigje: Është mirë që njeriu të marrë parasysh një rregull shumë të thjeshtë në një rast të tillë, nëse vesvesi apo dyshimi vjen gjatë adhurimit korrigjohet dhe nëse vesvesi apo dyshimi vjen pas adhurimit hidhet. Kjo do të thotë që: shkoi dikush dhe mori abdes, nëse dyshon gjatë abdesit le ta korrigjojë, për shembull është duke larë këmbët fillon dyshon nëse e ka larë dorën apo jo dhe nuk ka shenjë tek dora se e ka larë dorën apo jo, e lan dorën dhe vazhdon përsëri tek këmbët. Është në namaz, dyshon në namaz nëse ka rënë në ruku apo nuk ka rënë në ruku, bie në ruku, e bën rukunë dhe çohet përsëri.
Nëse ka mbaruar adhurimi nuk shikohet, hidhet dyshimi, për shembull, unë e mora abdesin dhe më vjen dyshimi a e fërkova kokën apo jo, a i lava veshët apo jo, ose a e lava dorën apo jo, në momentin që adhurimi ka mbaruar dyshimi nuk merret në konsideratë edhe nëse është dyshim i fortë, sepse ai mbetet përsëri dyshim. Po kështu dhe në namaz, njeriu e mbaron namazin dhe thotë: “A e lexova El-Fatihanë? Më duket se nuk e kam lexuar El-Fatihanë”, themi se ky është dyshim, përderisa ti ke dhënë selam atëherë s’ke pse të marrësh në konsideratë dyshimet që kanë ardhur pas adhurimit.
Pra, nëse dyshimet vijnë në adhurim korrigjohen, nëse dyshimet (vesveset) vijnë pas adhurimit nuk merren në konsideratë. Kështu që, rri i qetë dhe zgjidhja më e mirë për situata të tilla është që njeriu të thotë: “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim” dhe të vazhdojë pa e pasur mendjen tek ajo që ka bërë.
Dr. Imam Ahmed Kalaja