Pyetje: Çfarë duhet të bëjë një person që i kanë dalë nga koha disa namaze farz?
Përgjigje: Varet se pse i kanë dalë këto namaze nga koha. Nëse ky njeri pendohet sinqerisht tek Zoti, le t’i fali këto namaze dhe të ketë kujdes për të ardhmen, por që ne t’i hapim rrugën dhe të themi që s’ka problem edhe po nuk i fale në kohë i fal më mbrapa këtë nuk e bëjmë dot, sepse Zoti thotë në Kuran: “Namazi është bërë obligim për besimtarët në kohë fikse.” Sabahu quhet sabah kur falet në sabah, po ta falësh në drekë, si mund ta ketë emrin sabahu kur falet në drekë?! Dreka quhet drekë kur falet në drekë, nëse falet në darkë nuk e di se si mund ta ketë emrin. Është ndryshe kur njeriu është i sëmurë, kur njeriu harron, kur njeriu hutohet, kur njeriu prej një sikleti mund të harrojë dy-tre namaze se i ka rënë një hall, një stres, një siklet dhe i del komplet nga mendja, s’ka problem i fal kur të kujtohet, i fal kur të zgjohet, i fal kur të kthjellohet, s’ka asnjë problem, por jo që njeriu ta bëjë rrugë këtë punë dhe të thotë si t’ia bëjmë kur na dalin namazet nga koha. Si t’ia bësh?! E para gjë pendohu tek Zoti, sepse je duke luajtur me gjënë më të rëndësishme në jetën e një muslimani, që është namazi i tij. Nuk bëhet fjalë këtu për diçka që është mirë ta bësh, apo e pëlqyeshme që ta bësh, apo sevap i madh po ta bësh. Kjo është një çështje që diskutohet a do të jesh përjetësisht në Xhehenem apo do dalësh ndonjëherë nga Xhehenemi (nëse nuk e fal namazin). Namazi është thelbi i fesë dhe i besimit, gjëja më e rëndësishme që ka njeriu në këtë jetë është namazi i tij. Gjë që nuk bie asnjëherë; mund të jesh i paralizuar dhe duhet të falesh, s’ke mundësi të marrësh abdes duhet të falesh, je i lidhur këmbë e duar duhet të falesh, je i varur në një vend dhe ke ngelur i varur ashtu derisa të vinë që të nxjerrin nga situata dhe po të del namazi nga koha duhet të falesh, je në udhëtim duhet të falesh, je në avion duhet të falesh, je në anije duhet të falesh, je në traget duhet të falesh, je në tunel duhet të falesh, je poshtë në pus duhet të falesh. S’ka lidhje, namazi është namaz. Nëse njeriu ka pasur ndonjë arsye ose nuk e ka ditur që është kaq i rëndësishëm, se ndonjëherë njeriu nuk ia di rëndësinë, themi Zoti e fal dhe e mëshiron. Çfarë duhet të bëhet në këtë rast? Themi: fali namazet, pendohu tek Zoti sinqerisht edhe kujdes mos ta përsërisësh më.
Dr. Imam Ahmed Kalaja