Amaneti i nënës së Abdul Kader El Xhijlanij – Dr. Imam Ahmed Kalaja

Njërit prej dijetarëve të moçëm dhe të hershëm, Abdul Kader El Xhijlanij (Allahu e mëshiroftë) i dha nëna dyzet dinarë, që i bie afërsisht tek njëqind e tetëdhjetë gram florinj. E nxorri nëna nga shtëpia, po e dërgonte që të kërkonte dituri, dhe i tha: “O bir vetëm një amanet dua të të lë.” I tha: “Po nënë.” I tha nëna: “Mos gënje sido që të shkojë puna, se t’i po shkon që të bëhesh hoxhë, që të bëhesh dijetar, mos gënje.” I tha: “Po nënë.”
Duke shkuar nga Iraku për në vendin që do të kërkonin diturinë, dalin rebelët iu zënë rrugën, i bllokojnë, e fillojnë kontrollin, ca gënjenin, por çfarë leverdie kishin që gënjyen se ata i kontrollonin. Derisa erdhën tek djaloshi i ri Abdul Kader El Xhijlanij, i thanë: “Po ti?” Tha: “Unë kam me vete dyzet dinarë.” Ata qeshën, nuk besonin që një fëmijë i vogël të kishte dyzet dinarë.” Tha djaloshi: “Për Zotin i kam.” Ata u çuditën dhe erdhi drejtuesi i grupit të tyre e i tha: “O çun po ti pse nuk gënjeve si gjithë këta të tjerët?” Tha: “Kur dola nga shtëpia në mëngjes i dhashë fjalën nënës dhe nuk desha ta thyej premtimin që i kam dhënë asaj.” E ky tha me vete: “Ky nënës nuk ia theu premtimin, unë kam dyzet vjet që ia thyej premtimin Allahut, Zotit tim.” I tha: O djalosh përpara teje deklaroj pendimin tim tek Allahu. Ju (i tha grupit të tij) bëni çfarë të doni.” Ata i thanë: “Ti na ke udhëhequr në të keqe, ti na udhëhiq edhe në të mirë, ti u pendove dhe ne po pendohemi me ty.”
S’ka si e vërteta wAllahi, me të vërtetë mund të jetë e dhimbshme, por Allahu ta bën mbarë. Në jetën e përditshme nëse dikush t’i thotë gjërat ashtu siç kanë ndodhur je më i predispozuar për t’ia bërë hallall, e nëse dikush ta bën lojë muhabetin e pastaj ti e merr vesh më vonë e ke shumë të vështirë t’ia bësh hallall. Prandaj, le të jemi të sinqertë, në rradhë të parë me Zotin tonë, e në rradhë të dytë me njerëzit, se kemi për t’ia parë hajrin kësaj pune në këtë botë, po ajo që është më e rëndësishme në botën tjetër.
Dr. Imam Ahmed Kalaja
Kliko këtu për të shikuar videon