Si do t’ua kthejnë talljet e kësaj bote besimtarët jobesimtarëve ne Ditën e Gjykimit?

Pyetja: Si do t’ua kthejnë talljet e kësaj bote besimtarët jobesimtarëve ne Ditën e Gjykimit?

Përgjigja: Në fund fare mbyllet surja El-Mutaffifin duke treguar i Madhi Zot një panoramë shumë interesante sesi do t’ua kthejnë besimtarët jobesimtarëve talljen dhe sarkazmat e tyre të kësaj bote. Ti kujton se Allahu (xhele xhelaluhu) nuk do t’ua kthejë me të njëjtën monedhë atyre që janë tallur me besimin, me fenë apo me besimtarët?! Do t’ua kthejë i Madhi Zot në dy momente: momenti i parë do të jetë në Ditën e Gjykimit dhe momenti i dytë do të jetë në proçedurat e mbas Ditës së Gjykimit. Nëse ata kanë vënë në lojë, janë tallur, kanë krijuar sarkazma, ose kanë krijuar momente tallje, injorimi për besimtarët, të njëjtën gjë do t’ua bëjnë besimtarët atyre në botën tjetër. Sepse mua nuk do të më kënaqej shpirti në Xhenetet e Zotit kur ta marr vesh se filani prej këtyre kokave të idhujtarisë, apo mosbesimit, apo atyre që janë talluar me muslimanët, apo me besimtarët, apo me xhamitë, ai të jetë thjesht në Xhehenem atje, jo uAllahi kam qejf t’i shkoj atje dhe t’i them: “Hë mo, si po të duket? Si thoje ti në dynja ashtu ëë? Hajt i pafsh hajrin! Po të jap dhe një lajm: vendin tënd në Xhenet ta ka marrë filani.” Sepse kështu është. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Çdo njeri është i krijuar në dy vende, një vend e ka në Xhenet, një vend e ka në Xhehenem.” Nëse njeriu është prej xhenetlijve vendin e tij ne Xhehenem kush e merr? Një xhehenemli. Nëse njeriu është prej xhehenemlijve vendin e tij në Xhenet kush e merr? Një xhenetli. Për këtë ka për të pasur shumë vend bosh në Xhenet, shumë vend bosh ka për të pasur, për këtë arsye do të ketë një moment që Zoti do të krijojë njerëz në Ditën e Gjykimit dhe do t’i fusi ne Xhenet, aq boshllëk të madh do të ketë Xheneti.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon.