Kur themi namazi është obligim në kohë të caktuar, a nënkupton se duhet të falemi sa futet koha? – Dr. Imam Ahmed Kalaja

Pyetje: Kur themi që namazi falet në kohë të caktuar, a nënkupton që duhet të falemi direkt sa hyn koha e namazit apo dhjetë, apo pesëmbëdhjetë, apo gjysëm ore pasi të ketë hyrë koha?

Përgjigje: Transmetohet se një burrë e pyeti Pejgamberin (salallahu alejhi ue selam): “Cila është puna më e dashur tek Allahu?” Tha Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam): “Të falet namazi në kohën e vet.”

Të falet namazi në kohen e vet nënkupton që të falet namazi nga koha e fillimit deri në kohën e mbarimit. Por normalisht që edhe kjo ka atë më të mirën e vet, më e mira e kësaj është që të falet sa më afër fillimit, përveç kohëve të cilat mund të kenë diskutim, siç është koha e sabahut që është mirë të vonohet minimalja tek njëzet minuta pastaj ta falësh. Kurse kohët e tjera falen sa më afër kohës së parë, por edhe nëse vonohen pak nuk ka problem, edhe nëse vonohen deri në gjysmë të kohës nuk ka problem. Namazi në kohë nënkupton nga fillimi deri në mbarim, më e mira është sa më afër fillimit, por nuk është e thënë patjetër që duhet të falet në fillim. Përveç rastit kur njeriu e ka për obligim të vijë në xhami. Ka raste që njeriu obligohet ta fali namazin në xhami. Nëse muezini do ta thërriste ezanin pa altoparlant, pa qendër zëri, pra do ta thërriste në minare dhe zëri vjen deri tek ne, atëherë obligohemi që të vijmë në xhami, në rastet e tjera njeriu absolutisht është i lirë që ta fali në çdo kohë të namazit nga fillimi deri në fund. Siç është treguar në hadithin e Xhibrilit, i cili i tregoi kohët e namazit Pejgamberit (alejhi salatu ue selam), kohën e fillimit dhe kohën e mbarimit dhe i tha: “O Muhamed namazi falet mes këtyre dy kohëve.” Pra, koha më e mirë për ta falur këtë namaz është mes këtyre dy kohëve, sa hyn deri në mbarim.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon.