Kur duhet ta çelim iftarin dhe cilat janë vlerat e tij?

Pyetje: Kur duhet ta çelim iftarin dhe cilat janë vlerat e tij?

Përgjigje:  I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka porositur që ne t’i kushtojmë rëndësi çeljes së iftarit në kohë dhe kur themi çeljes së iftarit në kohë nuk ka nevojë që njerëzit të hypin nëpër pallate apo nëpër minare xhamiash, apo nëpër kodra dhe nëpër male për të parë se kur po perëndon dielli dhe si po perëndon. Dihet tashmë që njerëzit i përmbahen kalendarit i cili tregon se kur perëndon dielli, ashtu siç i përmbahen një kalendari i cili tregon se kur del për herë të parë drita e agimit. Është mirë që në këtë kohë të çelet iftari. I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu, xhele xhelaluhu, e ka fshehur mbarësinë dhe bekimin në ymetin e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, përderisa ata e kanë si cilësi të tyre, ose si shprehi të tyre, çeljen e iftarit në kohën e vet.” Është prej gabimeve në çeljen e iftarit vonesa e iftarit më shumë sesa koha e vet për t’u siguruar apo për të pritur derisa të errësohet, apo për të pritur derisa të dalin yjet, syneti i Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, është që me të perënduar dielli, pra me thirrjen e ezanit të akshamit të çelet iftari. Është mirë që në këtë kohë të bëhet dua (lutje), sepse i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi we selem, ka thënë në hadithin e saktë: “…dhe agjëruesi ka një lutje në kohën e çeljes së iftarit.” Pra, një lutje e ka gjatë agjërimit gjithë ditën dhe një lutje e ka në kohën e çeljes së iftarit. Është mirë që iftari të çelet, nëse është e mundur gjithmonë, me hurma arabie, pra hurmat e palmës dhe ujë e nëse nuk ka hurma palme atëherë çelet vetëm me ujë, e nëse nuk ka ujë atëherë mund të çelet me çdo gjë tjetër, e rëndësishme është që të çelet qoftë edhe me një gjethe peme, e rëndësishme është që njeriu ta çeli, pra ta prishi dhe të futet në pjesën tjetër.

Ajo që pëlqehet gjithashtu është që e çel me diçka të lehtë, falet akshami dhe pastaj mund të konsumohet ushqim dhe jo që njeriu të hutohet në të ngrënë e në të pirë dhe në konsumimin e ushqimit e pastaj ta lërë akshamin për në fund fare apo ta bashkojë atë me jacinë etj., sepse i bie të dali nga qëllimi. Kështu që, çelet me diçka të lehtë dhe pastaj falet akshami dhe pastaj konsumohet darka.

Ajo që gjithashtu duhet pasur parasysh në kohën e iftarit është që besimtari mundohet me ato mundësi që i ka fal Allahu të bëjë iftar për njerëzit e tjerë, sepse i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi we selem, ka thënë: “Ai njeri që i jep iftar një agjëruesi e merr shpërblimin si vetë agjëruesi.” Ai njeri që i jep iftar agjëruesit, nuk tha ai që i jep një gotë ujë, as nuk tha ai që jep tre kokrra hurma, “ai njeri që i jep një iftar një agjëruesi” pra e ngop me ushqim, i jep ushqim, ai do të marri shpërblimin e agjëruesit. Agjëruesi merr shpërblimin e vet, s’ia ndalon Zoti shpërblimin, po edhe ky që i bëri atij iftarin do të marri si shpërblimi i atij.

Duhet që të jemi pak të urtë dhe të kujdesshëm në kohën e iftarit dhe në çeljen e iftarit, që do të thotë mos të shpërdorojmë. Njeriu kur është agjërueshëm e tepron në atë që blen dhe në atë që mendon se do të konsumojë. Për këtë arsye shfaqen dhe forma nga më të ndryshme të shpërdorimit, në llojshmëri apo në sasi dhe kjo nuk është e këshillueshme as fetarisht po as mjekësisht, pasi përzierja e gjërave nuk është ndonjë gjë e shëndetshme, po edhe llojshmëria e tyre nuk është ndonjë gjë e shëndetshme, po edhe teprimi nuk është ndonjë gjë e shëndetshme. Dëmi më i madh i teprimit në iftar vjen në namazin e jacisë dhe në namazin e teravive, i ikën lezeti dhe i ikën shija. Pasha Zotin e Madh, sa herë ka qenë iftari i lehtë është ndjerë jacia dhe është ndjerë teravia dhe sa herë që ka qenë iftari i rëndë në llojshmëri apo në sasi i ka ikur shija dhe lezeti jacisë edhe teravive, kjo është e provuar dhe dihet.

Gjithashtu nëse tepron diçka nuk duhet gjuajtur, merret gjëja e pastër dhe mund t’i jepet dikujt që nuk ka mundësi, pse duhet hedhur?! Allahu, xhele xhelaluhu, thotë në Kur’an: “Ata që shpërdorojnë janë vëllezërit e djallit.” Kështu që, njeriu dhe të jetë agjërueshëm dhe vëlla i dreqit në të njëjtën kohë sikur s’ka lezet dhe sikur nuk shkon.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon