Pyetje: Jemi bërë me vajzë dhe duam të bëjmë kurbanin (akikan), cila është mënyra më e mirë për ta shpërndarë? A ta therim dhe t’ua japim fukarenjve apo të ftojmë njerëzit për darkë dhe ta hamë atë mish, apo ka ndonjë formë tjetër?
Përgjigje: Nuk ka asnjë problem. Çështja e akikas (kurbani për falenderimin ndaj Allahut kur lind fëmija) është lënë e lirë, mund ta theri njeriu akikan dhe e konsumon familjarisht, fetarisht nuk ka bërë shkelje. Mund ta theri akikan dhe t’ua shpërndajë të varfërve, është në rregull. Mund ta ndajë në dy pjesë, mund ta ndajë në pesë pjesë, një pjesë mund ta hajë për veten një pjesë mund t’ua japi të varfërve, mund të ftojë fisin, ose familjen e gruas, ose familjen e vet dhe hanë; nuk ka absolutisht asnjë problem fetarisht. Pra, ka liri dhe hapsirë veprimi.
E rëndësishme është që kur lind fëmija të bëhet kurbani, për djalin dy kurbane dhe për vajzën një kurban, dhe kjo duhet të bëhet ditën e shtatë, nëse është e pamundur ditën e shtatë realizohet në ditën e katërmbëdhjetë ose në ditën e njëzet e një, nëse kalon dita e njëzet e një atëherë çështja është e lirë. E rëndësishme është që të bëhet kurbani, sepse prindi do të jetë peng i kurbanit të fëmijës së tij, pra do të mbahet peng prindi nëse nuk e bën kurbanin për fëmijën e tij.
Dr. Imam Ahmed Kalaja