Çfarë ndodh me njeriun pas pyetjeve që i bëhen në varr?
Njeriu nga momenti i daljes së shpirtit deri në momentin e pyetjeve në varr është si i përgjumur, i përjeton të gjitha ato që ka thënë Profeti (alejhi salatu we selam), por si në një gjendje përgjumje dhe në momentin që vendoset në varrin e tij dhe pyetet…Kur t’i bëhen pyetjet në varr: “Cili ka qenë Zoti që ke besuar? Cila ka qenë feja që ke besuar? Cili ka qenë Profeti që ke ndjekur dhe besuar? Cili ka qenë libri që ti ke besuar dhe i je referuar dhe ke lexuar?”. Në momentin që i bëhen këto pyetje dhe njeriu e jep përgjigjen me sukses, çfarë ndodh në atë moment, përveç që njeriut i hapet një derë nga dyert e Xhenetit etj.? Ndodh dhe diçka tjetër o vëllezër, në atë moment njeriu e kupton se ku është dhe në atë moment vijnë banorët e Xhenetit për ta takuar këtë njeri; shokët, njerëzit, ata që kanë qenë në kohën e tij. E ky akoma nuk e ka marrë veten, akoma nuk e kupton se çfarë ka ndodhur, ka thënë Profeti (alejhi saltu ue selam): “Ata flasin me njëri-tjetrin dhe i thonë njëri-tjetrit: ‘Lëreni se është i lodhur nga shpërngulja, të qetësohet, pastaj vijmë sërish.”, dhe i vijnë më pas dhe ky është në gjendje për të komunikuar dhe për të folur me ata, (e pyesin) ‘Çfarë ka bërë filani? Çfarë ka ndodhur tek shtëpia ime? Cfarë ka ndodhur me fëmijët e mi?’.” Të gjithë ata të kohës së tij e pyesin dhe ky iu jep përgjigje për gjithçka. (Vazhdon Hadithi) thotë: “Derisa vjen një moment që e pyesin për dikë, i thonë: ‘Po filani, çfarë ka bërë filani?’ i thotë ky: ‘Po pse, s’ka ardhur tek ju filani?’ i thonë: ‘Jo nuk ka ardhur tek ne.’ thonë banorët e Xhenetit: ‘Inna lilahi ue inna ilejhi rraxhiun.’”-thonë banorët ë Xhenetit për atë personin që e pyetën këtë, por faktikisht ky paska vdekur prej kohësh dhe s’paska shkuar tek shokët e tij në Xhenet, por qenka diku tjetër, Allahu na ruajtë! Këtë ne duhet ta mendojmë në këtë botë. Aty fillon pastaj udhëtimi i ahiretit, aty fillon pastaj bota tjetër.
Dr. Imam Ahmed Kalaja