Pyetje: Çfarë duhet bërë nëse shikon që babai po të shkon në rrugë të keqe?
Përgjigje: Normalisht që ne si fëmijë ndoshta mund të sprovohemi në një moment të caktuar me prindërit tanë të cilët kanë probleme, qoftë babai apo nëna. Çfarë duhet të bëjmë ne si fëmijë? Ne nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të këshillojmë në mënyrën më të mirë. Ai është prind, ai mbetet baba, nëna mbetet nënë, çfarëdo që të bëjë sido që të sillet ai është babai yt që ka qenë sebep mbas Zotit që ti ke ardhur në jetë, ajo është nëna jote që është sebep mbas Zotit që ti je në jetë. Kështu që, sido që të jetë rruga e tyre, sido që të jetë e keqja e tyre, ne obligohemi me urtësi dhe me butësi. Nëse Zoti në Kur’an na thotë për njerëzit në përgjithësi t’i trajtojmë me butësi, me qetësi, me maturi, po për prindërit? Padyshim që kujdesi dhe maturia ndaj prindërve duhet të jetë shumë më e madhe, andaj mos të na marrë euforia dhe emocioni se po shohim prindin që po bie në një mëkat që ne të bëhemi “të dhunshëm”, të egër, të ashpër; përkundrazi, nëse ai bën një mëkat dhe një gjynah do të thotë se ka nevojë për këshillë dhe kjo këshillë duhet t’i vijë me butësi dhe qetësi.
Dr. Imam Ahmed Kalaja