A lejohet të bëjmë kurban dhe ta fusim në themelet e shtëpisë?

Pyetje: A lejohet të bëjmë kurban dhe ta fusim në themelet e shtëpisë?

Përgjigje: Ky veprim konsiderohet idhujtari, sepse njeriu beson dhe shpreson tek kjo kokë ose tek gjaku i këtij kurbani që po bëhet se do ta ruajë prej të këqijave, do ta ruajë prej të ligave, do ta mbrojë prej rreziqeve, ndërkohë që Ai i Cili e mbron njeriun nga të ligat, nga të këqijat, nga rreziqet është vetëm Zoti. Në momentin që njeriu i heq shpresat prej Zotit dhe i lidh shpresat e tij me diçka prej krijesave të Zotit, çfarëdo qoftë ajo, profet qoftë, pejgamber qoftë, engjëll qoftë, në momentin që shkëputesh nga Zoti dhe lidhesh me dikë prej krijesave të Zotit në këtë rast kemi të bëjmë me idhujtari. Kur dikush lidhet me diçka tjetër përveç Zotit për një punë që nuk e bën vetëm se Zoti, në këtë rast kemi të bëjmë me idhujtari. Nëse njeriu lidhet me dikë për t’i mbaruar një punë, një hall, një problem, një nevojë, diçka që ai tjetri ka mundësi ta bëjë, fetarisht këtu nuk ka asnjë lloj problemi. Problemi është atëherë kur ti shpreson që ai të shërbejë për diçka që nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç Zotit, në këtë rast kemi të bëjmë me idhujtari. Si njerëzit që e therin kurbanin, gjakun e derdhin tek themelet e shtëpisë së re dhe kokën e këtij dashi ose këtij kurbani e vendosin në themele. Çfarë besojnë njerëzit në këtë moment? Besojnë se është gjaku ose është kjo kokë që vendos, sepse është ai besimi pagan që kur bëhet një shtëpi ka nevojë për një gjak, ka nevojë për një flijim, ky është besim pagan nuk është besim islam. Atëherë, fatkeqsisht kjo është futur në emër të fesë, kjo është futur me ngjyrën e fesë. Njeriu mund të theri një kurban si falenderim për Zotin që ia mundësoi ta bëjë këtë shtëpi, por se ky gjaku i këtij kurbani s’ka punë me themelet e shtëpisë dhe koka s’ka punë me themelet e shtëpisë, there kurbanin fto njerëzit për të ngrënë e për të pirë s’ka asnjë lloj problemi, por të besosh se vendosja e kokës së kurbanit në këtë shtëpi, në themelet e kësaj shtëpie, e ruan nga të këqijat dhe të ligat këtu kemi të bëjmë direkt me idhujtari, me politeizëm.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon