A lejohet t’i kërkohet ndihmë krijesave? – Dr. Imam Ahmed Kalaja

Pyetje: A është një lloj shirku nëse i thuhet një vëllai: “Të lutem ejani të shkojmë” ose “Të lutem bëje atë punë”?

Përgjigje: Janë shumë shprehje që mund t’i përdori njeriu që kanë kuptimin e ndihmës nga krijesat, gjë që feja e Zotit nuk e ka ndaluar, sepse do të ishte shumë absurd konceptimi i kësaj feje në qoftë se feja do t’i ndalonte njerëzit nga këto gjëra.

Nuk ka problem t’i thuash tjetrit të lutem; ti as nuk po i falesh as nuk po i bie në sexhde, fjala “Të lutem” është respekt, s’ka problem. “Faleminderit”, “Shukran” i thonë në arabisht, s’ka problem të thuhet. Madje duhet të mësohet njeriu të thotë faleminderit, sepse po nuk dite të falenderosh njerëzit nuk di të falenderosh as Zotin (xhele xhelaluhu). Kështu që nuk ka asnjë lloj problemi.

Për këtë arsye në akide, në besim, trajtohet si temë: “A lejohet t’i kërkohet ndihmë krijesave?” Përgjigja që unanimisht të gjithë dijetarët kanë thënë është: “Nëse krijesa ka mundësi të të ndihmojë lejohet t’i kërkosh ndihmë.” Për shembull, unë dua të lëviz tavolinën, por nuk e lëviz dot, atëherë do t’u them vëllezërve të më ndihmojnë, nuk ka asnjë problem. Nëse krijesa ka mundësi të të ndihmojë kërkoi ndihmë, nuk ka asnjë problem fetarisht.

Problemi është atëherë kur ti kërkon ndihmë prej krijesës dhe krijesa s’ka mundësi të të ndihmojë, për shembull shkon tek varri dhe i lutesh varrit, tyrbes, vendit të shenjtë, ky është problem pastaj. Pse? Sepse po i kërkon diçka që s’ka mundësi ta bëjë dikush tjetër përveç Allahut: shëndetin, mirësinë, të mirën, fatin, mbarësinë, rriskun; këto janë punët e Zotit e ti shkon ia kërkon dikujt që s’ka në dorë asgjë, atëherë këtu kemi të bëjmë me idhujtari, këtu kemi të bëjmë me shirk, këtu kemi të bëjmë me atë që quhet e ndaluar në fenë tonë. Pjesa tjetër është hallall dhe e lejuar.

Argumenti, i tha Dhulkarnejni popullit: “Më ndihmoni me forcë.” Ky ishte një njeri prej njerëzve të zgjedhur të Zotit (xhele xhelaluhu). E nuk tha Zoti që bëri gabim Dhulkarnejni që u kërkoi ndihmë atyre se duhet të më kishte kërkuar ndihmë vetëm Mua. Kështu që nuk ka asnjë problem për përdorimin e shprehjeve të tilla që tregojnë respekt, mirëkuptim dhe të cilat ndikojnë shumë për afrimin e zemrave dhe normalisht tregojnë madhështinë kësaj feje të Zotit (xhele xhelaluhu).

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon