Pyetje: Kur zgjohem për të falur namazin e sabahut, a kam gjynah nëse falem me pizhame?
Përgjigje: Nuk ka gjynah nëse falesh me ato rroba me të cilat flen gjumë, por nuk është etike në raportet me Zotin, është mirë që njeriu të jetë në gjendje sa më të mirë kur fal namaz. Kjo do të thotë që: kur zgjohesh fillo me higjenen e gojës se aty është gjithë sekreti, bëj duanë: ‘Elhamdulil-lahil-ledhi ahjana ba’de ma ematena ue ilejhin-nushur”, vishu në mënyrën më të mirë, shko në xhami nëse e ke xhaminë afër ose nëse e ke obligim faljen në xhami, e nëse këtë nuk e bën dot atëherë fale në shtëpi. Por unë nuk do të sugjeroja apo këshilloja kurrë, ose nuk do ta shihja aspak etike që njeriu me të njëjtat rroba që fle gjumë të falë namaz, sepse kjo ndikon tek njeriu. Kur njeriu qëllimisht se do të fali namazi zhvishet dhe vesh rroba tjera se do të falë namaz, të gjitha këto japin efektin psiqik dhe shpirtëror tek një njeri. Pra, ti i ke bërë sebepet për t’u përgatitur për këtë punë dhe ajo jep efekt automatikisht, jep ndikimin e vet, pra jep efektin e vet në ndjeshmërinë e namazit të njeriut. A e ke parë ti me veten tënde ndonjëhere kur je me djersë dhe fal namaz dhe krahasoje me veten tënde kur fal namaz pasi ke bërë dush, si ndryshon namazi me namazin? Kanë dallim me njëri-tjetrin. Fal një ditë namaz dhe të vjen era e keqe dhe fal një ditë namaz kur je parfumosur dhe rregulluar dhe je vetëm jo për njerëzit e tjerë, namazi i parfumosur dhe i pastër është shumë më i mirë sesa namazi kur të vjen era e keqe. Nëse e fal namazin duke pasur ushqimin në tavolinë (edhe nëse nuk je i uritur, por thjesht duke qenë ushqimi në tavolinë) dhe fale namazin pasi ke ngrënë ushqim, janë dy namaze të ndryshme. Deshe s’deshe kur është ushqimi mbi tavolinë syri dhe mendja janë tek ushqimi, është normale në këtë rast që njeriu mos ta ndiejë namazin. A pranohet namazi i njeriut që falet me pizhame? Pranohet, por që nuk është etike që të dalim kështu përpara Zotit.
Dr. Imam Ahmed Kalaja