A ka vlerë agjërimi për një njeri që nuk falet?

Pyetje: A ka vlerë agjërimi nëse njeriu nuk falet?

Përgjigje: Islami i përngjason një panorame me mozaik, tani pse në panoramë mungon një mozaik, nuk do të thotë që nuk është panoramë. Kështu që, agjërimi në islam ka vendin e vet dhe është kollonë dhe shtyllë e islamit, namazi është kollonë dhe shtyllë e islamit dhe një njeri i cili nuk fal namaz nuk do të thotë se nuk është musliman, si pasojë nuk do të thotë se nuk pranohet agjërimi i tij. Kështu që, vetë fjala e Zotit “O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi”, domethënë që unë që po agjëroj i jam përgjigjur një thirrje që më është bërë: “O ju që keni besuar”. Tani çfarë e bën njeriun, i cili duhet të rrijë pa ngrënë, pa pirë, pa kontaktuar me bashkëshorten e tij 15, 17 apo 18 orë në ditë dhe kjo do të ndodhë një muaj rrjesht? I është përgjigjur thirrjes: “O ju që keni besuar”.

Për këtë arsye ne themi gjithmonë se nuk ka dyshim se perfeksioni dhe më e mira është që njeriu të jetë falës i namazit dhe po ta analizosh faljen e namazit është shumë më e thjeshtë sesa agjërimi. Pra, pesë kohët e namazit na marrin neve le të themi 24 apo 25 minuta në ditë nga 24 orë, ndërkohë që agjërimi na merr 15, 17 apo 18 orë. Pra, agjërimi si adhurim është më i vështirë, por njerëzit janë më të prirur këtu, po ne nuk mund të themi që këta që agjërojnë nuk janë muslimanë ose patjetër që të pranohet agjërimi duhet të jesh me namaz, jo nuk është e saktë. Është e vërtetë që të jesh me namaz dhe me agjërim kjo është shumë mirë, por nëse dikush ka vetëm agjërimin edhe kjo është mirë, kush ka vetëm xhumanë elhamdulilah dhe kjo është shumë mirë, dikush mund të agjërojë më pak, dikush mund të agjërojë më shumë, perfeksioni është i vështirë për t’u arritur, gjërat bëhen me gradualitet, pra vijnë hap pas hapi dhe me shpresën e Zotit, njerëz që e shijojnë me një ditë me dy ditë, njerëz që e shijojnë vetëm me natë kadri, njerëz që vijnë vetëm për ditë xhumaje, njerëz që vijnë vetëm për teravi.

Madje një djalë i krishterë më pyeti dhe tha unë kam dëshirë të agjëroj, i thashë agjëro, provoje ç’është agjërimi në islam, se ndoshta kjo bëhet sebep edhe për mbarësi dhe për bekime edhe ndoshta që njeriu të udhëzohet dhe të kuptojë të drejtën dhe të vërtetën. Kështu që, agjërimi është i hapur për të gjithë.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon