Pyetja: A ka mundësi që personi që ka ndërruar jetë të na tregojë nëpërmjet ëndrrës gjendjen e tij në jetën e varrit?
Përgjigja: E para, ne duhet të kuptojmë dhe e kemi thënë disa herë që kur shohim të vdekurit në ëndërr hiqe nga mendja që je duke parë të vdekurin, harroje, është një mesazh që po ta sjell Allahu nëpërmjet një meleku për diçka, por s’ka të bëjë me të vdekurin. Zakonisht kur shihen të vdekurit në ëndërr mesazhi është shumë i përafërt me atë që sheh në ëndërr. Kurse këto historitë pastaj: e pashë babain ishte në Xhenet më tha që unë jam në Xhenet mos u bëj merak për mua e tjerë e tjerë; mund të jetë një mesazh nga Zoti që të të heqë merakun se me të vërtetë ai mund të jetë mirë atje, por nuk është se i vdekuri ka dalë nga Xheneti për të të treguar ty në ëndërr që është mirë. Një ngjarje e vërtetë: i ka dalë babai në ëndërr dikujt dhe i ka thënë që e kam fshehur thesarin në filan vend dhe me të vërtetë ka shkuar në filan vend dhe e ka gjetur ku i ka thënë babai. Tani kush ia tregoi? Zoti i Madh ia paraqiti babain në mënyrë që ky miskini ta gjejë thesarin që ka fshehur babai në filan vend. Pra, është Allahu (xhele xhelaluhu) Ai i Cili e ka bërë një gjë të tillë. Kështu që mos të kapemi me gjëra të tilla, sepse kjo është një botë e fshehtë (gajb) dhe është shumë e vështirë që njeriu tani të hulumtojë, apo të analizojë, apo të nxjerri konkluzione për diçka që është krejt gajb, krejt e fshehtë. Edhe kjo punë; se ku e ka njeriu vendin, se ku ka përfunduar njeri, atë e din vetëm Zoti i Gjithësisë. A mund të ndodhi që Allahu t’i paraqesi dikujt dikë dhe ky ta pyesi që çfarë bëri Zoti me ty e ky t’i thotë më futi Zoti në Xhenet për shkak të filan gjëje? Mund të jetë e vërtetë, por nuk është se ka ardh ky personi duke i treguar këtij në ëndërr se çfarë ka bërë Allahu me të, Zoti i Madh ia ka paraqit sikur është ky person dhe e ka pyetur. Dhe me të vërtetë Zoti mund të ketë bërë me këtë njeri këtë gjë edhe me të vërtetë mund të jetë një i afërmi ynë që mund ta pyesim çfarë bëri Zoti me ty e të na thotë jam në Xhenet, me të vërtetë mund të jetë në Xhenet, mund të jetë me të vërtetë, por nuk është ky argument që ne të themi që filani është në Xhenet se e kemi parë në ëndërr, nuk është argument.
Dr. Imam Ahmed Kalaja