A është e vërtetë se kijameti do të bëhet ditën e xhuma në aksham dhe duhet të nxitojmë ta falim? – Dr. Imam Ahmed Kalaja

Pyetje: A është e vërtetë që Kijameti do të bëhet ditën e xhuma në aksham prandaj dhe pëlqehet që të thirret ikameti menjëherë pas ezanit që të paktën të kemi falur namazin e akshamit?

Përgjigje: Po, është e vërtetë. I dërguari i Allahut (salallahu alehi ue selam) ka thënë: “Dita më e mirë që ka krijuar Zoti ndër të gjitha ditët është dita e xhuma, në këtë ditë Zoti e krijoi Ademin, në këtë ditë e futi në Xhenet, në këtë ditë ai doli prej Xhenetit dhe në këtë ditë do të bëhet Kijameti.” Ndërsa për kohën se kur do të bëhet në ditën e xhuma nuk ka ndonjë argument, pra, nuk thuhet do të bëhet për drekë, apo për ikindi, apo për aksham, apo për jaci, thuhet në ditën e xhuma.

Ndërsa kjo që thonë njerëzit që menjëherë pas ezanit duhet të thirret ikameti që mos të na zërë Kijameti pa falur akshamin, themi kjo nuk funksionon dhe nuk ekziston, edhe po të zuri Kijameti për ditë xhumaje pa falur akshamin përderisa je në kohë je i arsyetuar. Pra, është njësoj sikur një person kur ka hyrë namazi i drekës dhe tha po e fal pas dy orësh meqë nga dreka deri në ikindi janë katër orë dhe vdiq pas një ore e dyzet e pesë minutash. Ky njeri a do të japi llogari tek Zoti pse nuk e ka falur drekën në fillim të kohës? Jo. Po pse? Sepse ky ka pasur kohë. Një grua ishte e pastër në namazin e drekës dhe pas dy orësh kaloi e papastër, a obligohet që ta fali këtë drekën e kësaj dite kur të pastrohet? Jo, nuk obligohet. Pse? Sepse me të vërtetë ajo e ka pasur obligim dy orë, por pas dy orëve ra obligimi prej saj.

Si për shembull: një njeri e ka zënë dreka në Tiranë, pastaj udhëtoi për në Shkodër pas një ore. Kur arriti në Shkodër sa duhet ta fali drekën? Dy rekatë, sepse ai obligohet për atë që është në kohë dhe nuk obligohet për atë që ka kaluar. Po kështu edhe nëse do të ishte Kijameti ditën e xhuma pas akshamit dhe ne e vonuam akshamin dhjetë minuta nga ezani apo një çerek ore dhe u bë Kijameti s’kemi për të dhënë llogari tek Zoti, sepse kjo nuk  është në dorën tonë, ne kemi qenë në kohë për ta falur akshamin.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon.