Allahu, xhele xhelaluhu, gjithmonë në librin e shenjtë Kuranin, Profeti, salallahu alejhi we selam, në traditën e tij, na kanë mësuar për një gjë që është shumë e rëndësishme në jetë: nuk duhet harruar asnjëherë mirësia dhe vlera e dikujt që na e bën një të mirë, e dikujt që na e bën një nder. Për këtë arsye dhe Pejgamberi i Zotit, salallahu alejhi we selam, do të porosiste duke thënë: “Kush jua bën një nder (kush jua bën një punë, kush jua bën një të mirë, kush jua bën një dhuratë) shpërblejeni (kthejani të mirën me të mirë, shpërblejani dhuratën me dhuratë), e nëse nuk gjeni (se njeriu jo gjithmonë ka mundësi t’i përgjigjet akteve të mirësisë me mirësi) lutuni për atë njeri që jua ka bërë atë të mirë aq shumë derisa të mendoni se ia keni shlyer të mirën që ai ju ka sjellë.” Pejgamberi i Zotit, salallahu alejhi we selam, në një rast do të thoshte: “Ai njeri që nuk di t’i falenderojë njerëzit, as Zotin e njerëzve nuk di ta falenderojë.”
Dr. Imam Ahmed Kalaja