Katër keshilla – Dr. Imam Ahmed Kalaja

Katër gjëra janë me katër gjëra të tjera. E para, kush e përmend Allahun, Allahu ka për ta përmendur atë. Allahu ka thënë në Kuran: “Më përmendni se kam për t’ju përmendur edhe Unë juve.” Allahu ekber. E dyta: Falenderimi me shtesë. Ka thënë Allahu: “Nëse ju falenderoni do t’jua shtoj të mirat.” Allahu ekber. E treta: lutja me përgjigje. Allahu ka thënë në Kuran: “Lutuni se kam për t’ju përgjigjur.” E katërta, istigfari me falje. Allahu ka thënë në Kuran: “Ju thashë vazhdimisht: kërkojini falje Allahut se Ai është falës i madh.”
Në një rivajet tregohet se Zoti ka thënë: “O bir i Ademit, katër gjëra janë mes Meje dhe teje dhe njerëzve: një është e Imja, një është e jotja, një është mes Meje dhe teje, dhe tjetra është mes teje dhe njerëzve. Ajo që është e Imja është të më adhurosh Mua si Zot të vetëm pa shok. Ajo që është e jotja është se do kesh besën Time se s’do të të dënoj në qoftë se ti do të jesh adhuruesi Im, ajo që është mes Meje dhe teje është lutja dhe duaja, Unë, ti dhe fjala që ti thua, dhe ajo që është mes teje dhe krijesave është: sillu me njerëzit siç do të doje ti të silleshin njerëzit me ty.”
Sikur nga kjo ligjëratë mos të kishim marrë vetëm se këtë porosinë e fundit dhe të thonim selam alejkum, kjo do të ishte e mjaftueshme. Adhuro Zotin dhe ke besën e Tij se s’ka për të çuar në Xhehenem, bëj dua sa më shumë se ke të bësh direkt me Allahun, dhe sillu me njerëzit siç do të doje ti të silleshin njerëzit me ty. Kjo është gjithë jeta e njeriut, këtu është përmbledhur gjithçka. Dr. Imam Ahmed Kalaja