Çfarë ndodh nëse thua La ilahe il-Allah me siguri të plotë?

Çfarë ndodh nëse thua La ilahe il-Allah me siguri të plotë?!

Kjo është ajo fjalë që nëse njeriu e thotë me siguri se më të vërtetë nuk ka zot tjetër të vërtetë, meriton për të qenë zot, për t’u adhuruar si zot, për t’iu përgjëruar si zot, përveç Allahut.

Thotë Profeti (alejhi selam): “Kush e thotë këtë fjalë (la ilahe il-Allah) me siguri të plotë, duke e besuar atë që thotë, Allahu do t’ia fali të gjitha gjynahet.” La ilahe il-Allah. Jo vetëm kaq, por kjo fjalë është çelësi i Xhenetit. Jo vetëm kaq, por kush e thotë këtë fjalë do të ketë fatin e madh që në Ditën e Kijametit të jetë në listën e ndërmjetësimit të Muhammedit (alejhi salatu ue selam).

Një ditë vjen Ebu Hurejra tek Pejgamberi (alejhi salatu ue selam) dhe i thotë: “O Pejgamber i Zotit, kush është më meritori njeri në Ditën e Kijametit që do të jetë në listën shefatit (ndërmjetësimit) tënd.” Tha Profeti (alejhi selam): “Nuk mendoja se do të ma bënte këtë pyetje njeri tjetër përveç teje o Ebu Hurejre, ngaqë të kam parë që je shumë i vëmendshëm dhe i përkushtuar në mësimin e hadithit.” Pastaj tha Profeti (alejhi selam): “Ai njeri që thotë la ilahe il-Allah me sinqeritet nga zemra e tij, me çiltërsi, me pastërti dhe kthjelltësi nga zemra e tij.” Jo për të kënaqur filanin apo fistekun, jo për interesa, por për hatër të Zotit dhe për riza të Zotit. Ky njeri do të jetë në shefatin e Muhamedit (alejhi salatu ue selam) në Ditën e Kijametit. Kjo është ajo fjalë që nëse njeriu e thotë ka për t’i bërë dobi çfarëdo që të ketë bërë, sado që të ketë bërë mëkate dhe gjynahe.

Dr. Imam Ahmed Kalaja

Kliko këtu për të shikuar videon.