Allahu i do ata që pendohen, se Zoti është Pendimpranuesi, Ai që e pranon vazhdimisht pendimin e robit te Tij. Allahu i do ata që pendohen, sepse gjithmonë i Madhi Zot në Kuran kur flet për Xhenetlijtë thotë: “Ata që vazhdimisht pendohen tek Zoti i tyre.” Kështu që, të jesh i dashur i Zotit nuk do të thotë të jesh pa mëkate, por që të jesh i dashur i Zotit duhet që ti për mëkatet e bëra të pendohesh vazhdimisht. Ke të bësh me një Zoti i Cili është shumë falës, i Cili të don shumë, një Zot i Cili e dinte që ti je mëkatar, një Zot i Cili emërtoi vetën e Tij Teuuab-Pendimpranuesi, prandaj Ai të don ty në momentin që ti pendohesh. Jo vetëm kaq, por i Madhi Zot në Kuran na tregon dhe thotë që nëse njeriu ka bërë një mëkat dhe një gjynah e më pas pendohet prej tij, Zoti vlerën e këtij mëkati do t’ia kthejë në sevap dhe në shpërblim në momentin që ai pendohet.
Prandaj dhe dijetarët e islamit kanë qenë në dilemë të madhe se kush është më i mirë tek Zoti: ai që nuk bën mëkate kurrë, apo ai që bën shumw mëkate dhe vazhdimisht pendohet plus punëve të mira që ai bën. Kështu që, ke të bësh me një Zot që të do shumë edhe pse ti bën mëkate, mjafton që ti të thuash: “O Zot më fal.” Është momenti, është koha që të themi vazhdimisht o Zot na fal, sidomos në këtë muaj të bekuar (Ramazan), sidomos në këtë muaj ku vetë Profeti i Zotit na mësonte që të themi: “O Allah, O Zot, Ti je Falës i Madh, e do faljen, andaj më fal mua. O Zot, Ti je Falës, e do faljen, andaj na fal neve o Zot në muajin e faljes!” Amin!
Dr. Imam Ahmed Kalaja