Pse Allahu nuk i ka ruajtur librat e mëparshëm siç ka ruajtur Kuranin? – Dr. Imam Ahmed Kalaja

Pyetje: Pse Allahu librat e mëparëshëm nuk i ka ruajtur siç ka premtuar për ruajtjen e Kuranit?

Përgjigje: Zoti thotë në Kuran: “Zoti nuk pyetet për atë që Ai bën, njerëzit do të merren në llogari.” Ne s’mund t’i themi që o Zot pse s’i ruajte dhe librat e tjerë siç ruajte Kuranin, sepse ne nuk mund të marrim në llogari Zotin. E dyta, ngaqë Kurani do të jetë libri që njerëzit duhet t’i referohen nga ardhja e Muhammedit (alejhi selam) deri në momentin e Katastrofës së madhe, në momentin e Kijametit. Kështu që, ky ishte ai libri që duhet të ruhej në mënyrë që njerëzit t’i ktheheshin atij.

Me ardhjen e Kuranit çdo libër tjetër është shfuqizuar, pavarsisht se ne e besojmë. Me ardhjen e Muhammedit (alejhi selam) çdo profet është shfuqizuar, pavarsisht se ne i besojmë profetët dhe i besojmë librat që iu kanë ardhur atyre, mirëpo me ardhjen e Kuranit janë shfuqizuar, me kuptimin që nuk janë më në fuqi. Për këtë arsye Zoti e ruajti Kuranin, sepse ai do të shërbejë si udhërrëfyes për njerëzit deri në Ditën e Gjykimit. Teurati ishte udhërrëfyes deri në momentin që erdhi ungjilli, në momentin që erdhi ungjilli u shfuqizua teurati. Ndërsa ungjilli ka shërbyer si udhërrëfyes deri në momentin që erdhi Kurani, në momentin që erdhi Kurani u shfuqizua ungjilli. Profeti që ka qenë para tij u shfuqizua, pastaj profeti që ka qenë përpara tij, e kështu profetët me rradhë.
Dr. Imam Ahmed Kalaja
Kliko këtu për të shikuar videon