Pyetje: A është i vërtetë hadithi ku thuhet se beqarët janë njerëzit më të urryer tek Allahu, prandaj mos vdisni si beqarë?
Përgjigje: Nuk ekziston një hadith i tillë, madje ka një rregull të bukur për beqarët i cili thotë: “Çdo hadith ku përmenden vlerat e të qenit beqar ose urrejtja, apo mallkimi, apo dekurajimi, të gjitha hadithet ku përmendet fjala beqar janë të dobëta ose të trilluara.” Dhe ky është prej haditheve të trilluara, pra nuk është hadith i saktë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam), pavarsisht se islami ka nxitur për vitalitet, për martesë, për të pasur sa më shumë fëmijë, i këshillon vazhdimisht të rinjtë që të martohen, islami është feja e familjes, feja e pasardhësve sa më shumë sepse ata do të jenë libri ynë i shpërblimeve, i sevapeve dhe i mirësive pas vdekjes. Por nuk ka një transmetim të tillë (si ai që thuhet në pyetje). Për këtë arsye dijetarët e medh’hebeve kanë një mendim që thotë se martesa është vaxhib, që unë anoj tek ky mendim, dhe ka një mendim që thotë se është synet.
Për këtë arsye dijetarët e islamit kanë thënë: “Çështja e martesës përputhet me pesë ligjet e islamit. Ka raste që është vaxhib kur njeriu e ka të nevojshme, i plotëson kushtet dhe rrezikon rënien në zina (imoralitet). Ka raste që është synet, atëherë kur njeriu është në normalitetin e tij, por nuk rrezikon rënien në zina. Ka raste që është e lejuar, pra me kuptimin që kur njeriu nuk është se ka problematika, por ndoshta edhe nuk i ka kushtet dhe mundësitë, atëherë i lejohet. Dhe ka raste që bëhet e papëlqyeshme, atëherë kur njeriu e din që nuk është aty ku duhet në raportet me jetën bashkëshortore. Dhe bëhet haram atëherë kur njeriu është i sigurtë se do t’i bëjë padrejtësi bashkëshortes.”
Pra, për ta përmbyllur edhe një herë, nuk ka hadith të tillë që beqarët janë njerëz të urryer. Jo! Mund të jetë beqar dhe mund të jetë njeriu më i devotshëm dhe më i përkushtuar ndaj Zotit. Kemi dijetarë të mëdhej të islamit të cilët kanë vdekur beqarë, të pamartuar. Kështu që, ndoshta është thënë në një moment inkurajimi, por nuk ka hadith nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam).
Dr. Imam Ahmed Kalaja