Pyetja: A lejohen duatë shqip në namazet farz dhe synet?
Përgjigja: Kjo është një çështje për të cilën ka disa interpretime. Ka prej interpretimeve që thonë që nuk bën, ka një medh’heb që thotë nuk bën, pasi lutjet në namaz duhet të jenë vetëm në gjuhën arabe dhe ky nuk është mendim i qëlluar, është mendim goxha i njohur, ka mbështetës ky mendim dhe njerëz që e mbrojnë si opinion. Ndërsa mendimi tjetër, që është mendimi i shumicës, është se lejohet pasi në fenë tonë nuk ka argument që e ndalon një gjë të tillë. Dhe kanë thënë gjithashtu që Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Momenti që njeriu është më pranë Zotit është kur është në sexhde, prandaj shtojini lutjet (duatë) kur te jeni në sexhde.” E çfarë të shtoj lutje unë kur nuk di arabisht?! Pra unë nuk e zbatoj dot këtë porosi të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selam). Ose Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) thotë: “Mbasi të këndojë njeriu et-tehijjatun, salavatet dhe duatë, të zgjedhë prej lutjeve çfarë të dojë se është momenti më i volitshëm për t’iu përgjigj Zoti.” E unë që s’di arabisht për çfarë të lutem?! Se ai thotë zgjidh çfarë të duash, po unë s’di arabisht. Përsëri këtu nuk e zbatoj dot porosinë e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selam). Në qoftë se do të thuash që lejohet të lutesh shqip, atëherë unë e zbatoj porosinë e Profetit (salallahu alejhi ue selam) edhe në sexhe ‘Bëni sa më shumë dua.’ se mund të lutem në shqip për çfarë të më dojë zemra dhe porosinë e Profetit (salallahu alejhi ue selam) që para selamit të bëj dua çfarë të dua unë të zgjedh, sepse unë di të lutem në gjuhën shqipe. Kanë thënë ata që e kanë ndaluar, kanë një argument të fortë, kanë thënë: “A nuk thotë Profeti (alejhi selam): ‘Faluni siç jam falur unë.’ ?” Po. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) në çfarë gjuhe është falur? Në arabisht. Ti që lutesh në një gjuhë tjetër përveç asaj gjuhe që është lutur Profeti je duke bërë bidat. Cila është përgjigja? Kjo është e saktë po mos të ishin këto dy hadithet tjera. Kjo është shumë e qëlluar po mos të ishin këto dy hadithet e tjera; hadithi që thotë: “Momenti kur njeriu është më pranë Zotit të tij është kur është në sexhde, prandaj bëni sa më shumë lutje në sexhde.” dhe mos të ishte ky hadithi tjetër që thotë: “Dhe para se të jepni selam bëni dua dhe zgjidhni praj duave çfarë të doni, sepse është momenti më i volitshëm për të marrë përgjigjen e lutjes.” Po të mos ishin këto dy hadithe, arsyetimi i tyre është shumë i fortë dhe s’e luan topi, po ja që e luajti topi se erdhën dy argumente shumë të forta që e bënë atë mendim të konsideruar, sepse është mendimi i një medh’hebi, porse jo i qëlluari dhe i padiskutueshmi. Dhe Allahu e din më së miri!
Dr. Imam Ahmed Kalaja