Pyetja: Si mund t’i këshillojmë disa njerëz të cilët shkojnë tek fallxhorët dhe tek magjistarët ose tek këta që pretendojnë se kuptojnë të fshehtën apo zbulojnë të fshehtën, ose astrologët, ose të lexojë njeriu për kuriozitet në faqet ku zbulohet e fshehta ose tregohet siç janë shenjat e horoskopit për shembull?
Përgjigja: Të gjitha këto në fenë tonë janë të ndaluara. Për këtë arsye nuk i lejohet një njeriu që e beson Zotin ta shkele një normativë të tillë, sepse Zoti e ka thënë në Kuran: “Thuaj: Të fshehtën në qiej dhe në tokë nuk e din askush tjetër përveç Allahut.”( Të fshehtën absolute, Thuaj: Atë që është e ardhme nuk e din sesi do të ndodhë me përpikmëri, me detaje askush tjetër përveç Allahut xhelexhelaluhu.)
Dhe Zoti i madh i ka ndaluar njerëzit që të gjejnë forma apo të shpikin forma, apo mënyra sesi ata të prekin të ardhmen ose të fshehtën. “Allahu e din të fshehtën dhe nuk ia ka lejuar Zoti askujt që të prekë apo të zbulojë të fshehtën.” Dhe fallxhorët, ose magjistarët, apo astrologët, këta njerëz tentojnë nëpërmjet formulave të caktuara, nëpërmjet riteve të caktuara që të zbulojnë të fshehtat e të ardhmes. Po në qoftë se zbulojnë të fshehtat e të shkuarës? Edhe kjo është e ndaluar. Se dikush thotë thjesht ai po zbulon diçka që dihet, nuk është që po tenton të zbulojë diçka që është e ardhme. Themi të dyja janë të ndaluara. Ndoshta kjo e dyta për magjistarin, për fallxhorin është më e lehtë, mirëpo si e dyta dhe e para janë të ndaluara; si zbulimi i të fshehtave të kaluara po edhe zbulimi i të fshehtave të ardhme. Përderisa bëhet nëpërmjet rrugëve të cilat janë jo të drejta, jo të vërteta dhe jo të sakta bëhet e ndaluar. A ka mënyrë të saktë dhe të vërtetë që njeriu mund të zbulojë të fshehtën? Çfarë ka thënë Zoti që do të bëhet ka për t’u bërë, çfarë ka thënë Profeti se do të bëhet dhe do të ndodhe do të bëhet, nëse është diçka që mund të vërtetohet shkencërisht s’ka asnjë lloj problemi. Pra nëse ka një formë të drejtë dhe të vërtetë fetare, një formë të vërtetë apo të drejtë shkencore le të themi, nuk ka asnjë problem; siç themi ne për shembull parashikimi i motit e tjerë e tjerë, asnjë lloj problemi nuk ka fetarisht, sepse është e mbështetur mbi diçka që është e qartë dhe e studiueshme, ndërsa kjo pjesa tjetër është e mbështetur mbi xhindët, mbi fallet, mbi shenjat e horoskopit që ato i lexojnë sipas qejfit të tyre etj. Për këtë arsye nuk lejohet. Për këtë arsye ka thënë Profeti (alejhi salatu ue selam) se:” Ai njeri që shkon tek një fallxhor ose një fallxhore, ose këto orakujt (që gjoja zbulojnë të fshehtën), apo tek astrologët dhe i beson se çfarë thotë ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit (alejhi salatu ue selam).” Pra nëse shkon dhe i beson ke mohuar fenë dhe besimin, ke dalë prej islamit, Allahu na ruajtë! Po nëse njeriu e bën për kuriozitet, nuk i beson, por thjesht për të shuar kureshtjen, për ta dëgjuar njëherë çfarë thotë? “Nuk i pranohet namazi dyzet ditë.” Ai duhet të falet dyzet ditë, do të falet se s’ka ku të shkojë pa u falur, por ai namaz nuk i pranohet, thjesht ai bën një detyrë, ai duhet të falet, por ky namaz nuk është i pranuar tek Zoti i Gjithësisë. Pra aq e rëndë qenka kjo punë, aq keq qenka që njeriu ta bëjë qoftë edhe për kuriozitet, qoftë edhe për kureshtje; s’bën, nuk lejohet. Unë nuk shkoj, por thjesht hap televizorin kur këta e bëjnë këtë gjë, pë shembull njerëzit telefonojnë ose komentojnë mbi shenjat e horoskopit? Nuk lejohet në asnjë mënyrë, nuk lejohet në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë. Dyzet ditë nuk pranohet namazi, e nëse njeriu pastaj ndikohet dhe i beson, Zoti na ruajtë, del prej feje. Dr. Imam Ahmed Kalaja